Të reja nga VALA dhe IPKO
Më ka rrëshqitur nga mendja për pak kohë që t’i përcjell veprimet e dy operatorëve mobil të vetëm në Kosovë, VALA & IPKO. Ndoshta kjo më ka ndodhur për shkak të ngarkesës me projektin e fundit XP Kosova, që jemi duke punuar me kolegun tim Valonin, ose ndoshta edhe për shkak të përkushtimit ndaj kampionatit Evropian këtë vit, që cdo ndeshje po na befason më tepër se tjetra, pata qejf që Turqia te kualifikohej në finale me Rusinë dhe pastaj të fitonte Rusia, më falni mendova Turqia.
Sidocoftë, ja ku po kthehem me disa të reja nga java që po lëmë pas.
VALA zbret cmimet e pakove Postpaid
Bravo VALA! Sinqerisht me veprimet që po i ndërmerrni kohën e fundit po më jepni përshtypjen që përfundimisht jeni mbushur mend.
Mbi 50 përqind zbritje e çmimit të pakove Postpaid, është hapi i ardhshëm i operatorit publik mobil Vala, që do të fillojë së aplikuari nga 1 Korriku.
Prit pak! 1 Korriku, mendova se vec ka filluar të aplikohet kjo tarifë e re. Pra nuk qenka realizuar ende, aha mirë boll. E pse atëherë bëni publikimin e lajmit një javë përpara (2008-06-23). Lërmëni t’ia qëlloj, hmm… mos ndoshta dëshironi të i parapërgatitni konsumatorët me kohë, në mënyrë “që mos t’iu bien kresë cmicmet e reja të bisedave telefonike”. Mendoj që cmimet e ulëta që do t’iu konvenonin nuk do ta trembnin askënd. Mund të jem edhe gabim por kështu e shoh unë.
Kjo është ‘cështje marketingu’ tek e fundit. Edhe dicka, shërbimin e keni të tmerrshem kohën e fundit, ndoshta për shkak të prezantimit të553, por sidoqoftë është helaqe. Problemet e juaja neve si konsumatorë nuk na interesojnë. Krejt cka ne kërkojmë është të mund të dëgjohemi rrjedhshëm, unë besoj se nuk kam nevoj të bërtas me femrën përdersia bisedoj në telefon me VALA. Përndryshe kam 3 javë që ju kam nxjerrur nga kuleta ime, pra ju ndërrova me IPKOn. Po pres një përmirësim të shpejt të shërbimit tuaj, përndryshe do t’ju ngroh përsëri prapanica ime, pasi që kuletën e mbaj në xhepin e prapëm të pantollonave.
IPKO një ndryshim i vogël
Në anën tjetër bukuroshat e IPKO-s kanë filluar të shprehin dukshëm trullimin e tyre. Një here boom me shërbime fantastike, e tash kadal-dal po e prishin.
“Dërgoni deri pesë porosi “Më thirr” në ditë!“ ~ titulli është interesant thua se për herë të parë po prezantohet një shërbim i tillë. Në fakt ky shërbim ka qenë i mundshëm qysh nga fillimi i mbarë i IPKO-s, ndërkaq tash është cenzurim i shfrytëzimit të lirë të kësaj mundësie.
Për ti mbrojtur konsumatorët e vet nga keqpërdorimi dhe dërgimi i shpeshtë i porosisë “Më thirr”, IPKO tani ka kufizuar numrin e porosive në 5 brenda një dite.
Qyysh?! Për t’i mbrojtur konsumatorët nga “….dërgimi i shpeshtë i porosive ‘Më thirr’“, po qesharake është kjo. Si do të mund ta mbronin konsumatorin nga një gjë e tillë? (Versioni i tyre) Thjesht duke ia ndaluar dërgimin – Pikë. Aha, mirë shumë, por kjo nuk është mbrojtje por limitim i shfrytëzimit sic e theksova edhe më lartë.
Edhe shkruhet ‘t’i’ e jo ti pasiqë është ‘të i’, nejse nuk jam për këtë unë se në kësi gabimesh mund të më kapni edhe mua. :P
Sidoqoftë, pse po ndodh një gjë e tillë, në fakt ju duhet të mburreni me këtë shërbim pasi që nuk e ‘leni në lloc’ konsumatorin kurrë, VALA nuk e ka e dini ?!
Ky racionalizim ka ardhur si pasojë e ankesave të konsumatorëve tanë për keqpërdorimin e këtij shërbimi.
Kjo është shumë mirë pra. Por mua nuk po më duket justifikim racional i arsyeshëm, pasiqë kam eksperiencë tejet të hidhur në aspektin e trajtimit të ankesave të mia si konsumator i juaji për një kohë bukur të mirë. Prandaj jam në mëdyshje nëse vërtet ankesa e konsumatorëve ka qenë ajo që ju ka shtyrë të ndërmerrni një hap të tillë.
Përfundimisht, nga të dyja të theksuarat më lartë, si VALA ashtu edhe IPKO ai që fundin po e pëson prej tyre jemi ne, konsumatorët e gjorë që cirremi për t’i mbledhur 3 apo 5 euro për ta rimbushur telefonin. E ato tri-pesë euro nuk po piknin nga qielli, por edhe te ndodhte ashtu, prapë-se-prapë në vendin tone ku po jetojmë në kohën e një krize ekonomike, do të avulloheshin sa cel-e-mshel sytë. Sinqerisht duhet të duartrokitemi për durimin e pashterrur që kemi shfaqur deri më tani, ose jemi tejet naiv dhe nuk revoltohemi ku duhet, ndërkaq ku s’duhet turremi.
“Rrofshin!” Ata që në krye po na rrinë, po na rjepin e po na shtypin. “Viva La Qeveria”.


























Leave your response!